Çfarë do të thotë Islam ?
ISLAMI
Fjala Islam do të thotë paqe, dorëzim, harmoni, butësi, drejtësi etj… Ai i cili është në brendësi të Islamit pra ai i cili është posedues i kësaj feje quhet musliman. Musliman do të thotë njeri i drejtë, i paqes, i harmonisë dhe i dorëzuar në urdhrat e Zotit që është një. Ai që e quan veten musliman duhet të jetë i vetëdijshëm se çfarë interpreton kjo fe.
Islami është feja e cila u dërgua nga Zoti i Madhëruar me anë të Engjëllit Xhebrail për tek profeti Muhammed (paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të) i cili është profeti i fundit në vargun e profetëve të dërguar nga Zoti i gjithësisë. Islami nuk është gjë tjetër vetëm se modeli i fundit i fesë në besimin në një Zot. Kjo fe u shpall për herë të parë me njeriun e parë i cili është dhe profeti i parë i dërguar nga Zoti Ademin (paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të) . Pastaj vazhdoi me profetët e tjerë, vazhdoi me Nuhin, Ibrahimin, Ismailin, Jusufin, Musanë, Davudin, Sulejmanin, Isanë dhe së fundi me Muhammedin (paqa dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të) i cili u bë dhe vula e profetëve sepse Zoti e dërgoi si profet të fundit. Kjo fe u ripërtërinte nga Zoti me profet atëherë kur njerëzimi e deformonte fenë e vërtetë. Prandaj janë dërguar shumë profet. Siç kanë interpretuar fetë para ardhëse besimin në një Zot dhe mënyrën e të jetuarit në paqe ashtu dhe Islami interpreton që njerëzit të besojnë në një Zot dhe të jetojnë në paqe e harmoni me njëri-tjetrin. Ne jemi njerëz kemi nevojë të jetojmë në harmoni sepse nuk mund të jetojmë në vetmi, vetmia është veçori e Zotit i cili është i vetëm dhe jeton pa nevojën e ndokujt. Ndërsa ne kemi nevojë për njëri-tjetrin dhe për këtë duhet të dimë si të jetojmë në harmoni dhe rëndësinë kësaj na e tregon shumë bukur fjala e Zotit ku thotë: “ Nëse jeni besimtarë shkoni mirë me njëri-tjetrin”. Pra kjo na tregon hapur se sa e rëndësishme është harmonia midis njerëzve. Me këtë ne shohim se paqja dhe harmonia tregojnë kulturën dhe karakterin e njeriut të mirë. Profeti Muhamed (paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të) vetë thekson: “ Musliman është ai i cili nga gjuha dhe dora e tij të tjerët nuk dëmtohen”. Siç e shohim edhe profeti na lajmëron që njeriu nëse do të meritojë emrin njeri atëherë le të jetojë ashtu siç i takon atij.
Islam do të thotë lumturi: Nëse një njeri jeton sipas rregullave hyjnore nuk do të shoh gjë tjetër në jetën e tij veçse paqe e lumturi. Njeriu meriton të jetojë i lumtur sepse këtë të drejtë ia ka dhënë vetë Zoti që e ka krijuar atë. Atëhere përse ky njeri të dali nga emri i tij i dhuruar nga Zoti e të jetojë me një emër fallso si dhunues apo mashtrues jo ky njeri duhet ta meritojë me jetën që jeton emrin e dhuruar njeri. Lumturia që na jep besimi është ajo lumturi e cila do na japë paqe e harmoni midis njerëzve. A mund të gjejmë ndonjë njeri që kërkon të jetojë i pa lumtur? Jo atëherë le ti japim njerëzve atë që duan pra lumturinë.
Islam do të thotë mëshirë: Që në krijimin e çdo gjëje mund ta kuptojmë shumë mirë se janë krijuar me një mëshirë të veçantë. Zoti i dha çdo krijese pjesë nga mëshira e vet. Këtë mund ta shohim në të gjitha krijesat. Një elefant kujdeset për zogun e vet siç e dimë elefanti nuk pjellë i shtrirë por futet në ujë në mënyrë që zogu i tij mos të dëmtohet gjatë lindjes. Pra Zoti u dha edhe njerëzve pjesë nga mëshira e Tij atëherë pse ne të jetojmë pa e përdorur këtë që na dhuroi krijuesi ynë. Islami na këshillon që të jemi të mëshirshëm jo vetëm ndaj njerëzve por edhe ndaj krijesave të tjera sepse edhe ato kanë të drejtën e tyre të jetojnë nën mëshirën e krijuesit. Nëse shohim mënyrën e krijimit të rruzullit tokësor do të kuptojmë shumë mirë se çdo gjë është krijuar që njerëzimi të jetojë i lumtur dhe kjo është shenjë e mëshirës që Zoti ka për krijesat e Tij. Njeriu është zëvëndësi i Zotit në tokë atëherë ky njeri duhet ta imitojë Zotin e tij më bukur se çdo krijesë tjetër pra duhet të mëshirojë ashtu siç i takon.
Islam do të thotë drejtësi: Zoti i krijoi të gjithë njerëzit njësoj pa dallim gjinie, ngjyre, kombi apo race. Në fjalën e Tij Zoti thotë: “ Ne i krijuam njerëzit në fise të ndryshme në mënyrë që të njihen mes njëri-tjetrit. Me i miri është ai që ka frikë Zotin”. Pra të gjithë jemi njerëz, jemi të barabartë midis njëri-tjetrit dhe islami na tregon se si të jetojmë me të drejtat tona. Siç ka burri të drejtat e veta ashtu ka edhe gruaja, siç ka fëmija të drejtat e veta ashtu ka edhe plaku të drejtat e veta. Ne kemi të drejtë të jetojmë jetën tonë e jo të hymë në të drejtat e të tjerëve. Këta janë këshillat që islami na jep në mënyrë që të jetojmë nën sloganin “ të jesh i drejtë do të thotë të jesh njeri”.
Islam do të thotë falje: Njeriu është krijesa më e përsosur që ka krijuar Zoti. Tek njeriu janë dy ndjenja që gjithmonë bien në kundërshtim me njëra-tjetrën. Shpesh herë mund të fitojë ajo ndjenja momentale të cilën e quajmë hakmarrje ndërsa ndjenja tjetër hesht sepse është një ndjenjë e butë të cilën ne e quajmë falje. Hakmarrja vjen si rezultat i nervozizmit momental ku pas veprimit të sajë njeriu pendohet dhe e ndien veten të dobët nga ana shpirtërore sepse hakmarrja nuk është virtyt i njeriut të fortë. Kurse falja është virtyti i njeriut të butë dhe të fortë. “Falja dhe harresa janë hakmarrja e njerëzve të mirë”. Më mirë të falim e të pendohemi se sa të hakmerremi e të pendohemi.
